Skip to content

Bordi Themelues

Safet Sadiku

Safet Sadiku u lind më 1 nëntor 1964 në Mitrovicë dhe studimet e larta në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe i ka përfunduar, në nëntor të vitit 1988, në Universitetin e Prishtinës. Ai është bartës organizativ i demonstratave studentore në vitet 1988-1989 në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1990, në Kopër të Sllovenisë, themeloi shoqatën “Fan S. Noli” dhe botoi revistën “Qëndresa”. Gjithë aktiviteti i tij politik dhe publicistik karakterizohet nga fryma e lartë kombëtare, kundër regjimit serb të kohës dhe nga përpjekja e vazhdueshme për bashkim kombëtar (për integrimin e brendshëm shqiptaro-shqiptar). Ai është pjesëmarrës në themelimin e Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar (UNIKOMB) më 6 maj 1991 në Prishtinë, me në krye Halil Alidemën, dhe në periudhën 3 janar 1993 deri më 9 mars 1994 shërbeu si zëdhënës i zyrës së UNIKOMB në Tiranë. Është njohës i mirë dhe pjesëmarrës i grupeve të para ilegale të vendosura në Shqipëri për themelimin e bazës dhe celulave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh prej vitit 1991, nën koordinimin e Halil Alidemës dhe me mbështetjen edhe të Ukshin Hotit. Gjatë luftës në Kosovë, e gjithë familja e tij ka qenë në mbështetje direkte të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai nuk i ka fshehur kurrë qëndrimet e tij politike në çdo situatë, duke qenë zë i fortë i mbrojtjes së idesë së integrimeve të brendshme institucionale në gjithë republikat tona shqiptare. Safet Sadiku është autor i tekstit të programit më të mirëfilltë shqiptaro-shqiptar Platforma për Referendum Kombëtar. Ai është idhtar dhe beson se “bashkimi institucional i trojeve shqiptare në republikat tona arrihet vetëm përmes normave demokratike dhe mentalitetit luftarak për organizimin e referendumeve dhe pjesëmarrjen në votim, duke respektuar edhe juridikisht vullnetin e shumicës së shqiptarëve”. Projektet e përbashkëta ekonomike në zonat shqiptaro-shqiptare e jetësojnë praktikisht ëndrrën tonë shekullore. Nga viti 1994, ai jeton me familje në Zvicër. Për shumë vite këtu ka punuar në mësimin plotësues të shkollës shqipe me fëmijët e mërgimtarëve tanë. Aktualisht është përfaqësues i zyrës për investime të projekteve strategjike për vendet e Ballkanit, me seli në Gjenevë.

Bajram Dervishaj

Bajram Dervishaj u lind më 15 janar 1967 në Racaj dhe është rritur në Gjakovë. Deri në vitin 1991, ai punoi si ekonomist pranë Kombinatit Bujqësor Industrial “Ereniku” në Gjakovë, duke ndjekur njëkohësisht edhe studimet me korrespondencë. Në vitin 1991, me nxitjen edhe të Prof. Bardhyl Çaushit, ai ishte nga të parët vullnetarë që u regjistrua pranë Akademisë Ushtarake “Skënderbeg” në Tiranë. Ai i kishte plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme: ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u lajmërua në përfaqësinë e Kosovës në Tiranë, ndonëse ajo përfaqësi nuk ishte marrë më fare me këtë çështje. Meqenëse nuk pati përkrahje institucionale nga përfaqësia e Kosovës në Tiranë, Bajram Dervishaj është futur në repartin ushtarak të Labinotit, në Elbasan, ku ka qëndruar deri në vitin 1993. Reparti ushtarak i Labinotit u mbyll me urdhër të Bujar Bukoshit, kryeministër i Kosovës, dhe të Mehmet Krajës, përfaqësuesi i Kosovës në Tiranë, Nga gjysma e vitit 1993, Bajram Dervishaj i bashkangjitet shtabit operativ nën organizimin e Halil Alidemës. Pas vitit 1994 (kur dështon aktiviteti i këtij organizimi), menjëherë në fillim të 1995, ai paraqitet në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ku merr mbështetje financare deri kur është larguar përfundimisht nga Shqipëria. I njohur me nofkën “Bami”, ai ruan kujtime të paharruara për vitet më të mira të rinisë, në përgatitjet e shumta ushtarake në Shqipëri. “Bami” është enciklopedi më vete e fakteve dhe e shumë ngjarjeve të rëndësishme të kohës. Ai ishte i papërshtatshëm për ata që sabotuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ndiqej vazhdimisht nga bandat (dhe nga disa oficerë të ish-Jugsllavisë), të cilët përfaqësonin zyrtarisht qeverinë e Kosovës (në atë kohë në Tiranë) dhe që sabotonin çdo atdhetar dhe luftëtar lirie. Në shkurt të vitit 1998, ai detyrohet të largohet (ilegalisht) nga Shqipëria si rezultat i kërcënimeve shtetërore të Kosovës, struktura këto që kishin dorë edhe në Tiranë. Më pas ai vendoset në Zvicër dhe, pas disa muajve, pati një sulm me armë zjarri në vendbanimin ku jetonte. Aktualisht, Bajram Dervishaj jeton me familje në Zvicër. Për tekstin e programit Platforma për Referendum Kombëtar (si bashkëthemelues i këtij Bordi), është një konsulent i rëndësishëm, sidomos në fushën ushtarake dhe të sigurisë. Në funksion të logjikës së referendumit, ai është gjithëmonë i qartë, duke u shprehur se “një konkurencë e mirëfilltë demokratike na bënë mirë të gjithëve”,

Fikret Hajradini

Fikret Hajradini u lind më 22 qershor 1966 në Ferizaj. Ai rrjedh nga një familje balliste. Menjëherë pas Luftës II Botërore, për shkak të regjimit serb që po ushtronte terror në Kosovë, shumë familje shqiptare, përfshirë edhe dajallarët e tij, detyrohen të shpërngulen në Turqi. Që në moshën 16-vjeçare, ai ishte aktiv në përkrahje të demonstratave të vitit 1981. Pas përfundimit të arsimit të mesëm si laborant në fushën e biologji-kimisë, ai vazhdon edhe studimet e larta dhe diplomohet si inxhinier mekanik. Ai vijon më pas edhe studimet e larta ushtarake, por pezullohet pas dy viteve dhe detyrohet të kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në ish-Jugosllavi. Ai e njeh mirë artin ushtarak dhe represionin administrativ që regjimi serb i kohës zbatonte ndaj shqiptarëve. Në moshë fare të re, Fikret Hajradini detyrohet të punojë në Gjermani, ku edhe ka jetuar për shumë vite. Gjatë viteve të qëndrimit në Gjermani, ai ka punuar në profesionin e përsosjes profesionale në mtalurgji. Ai vazhdimisht ka qenë përkrahës i fondeve të shumta humanitare në ndihmë për Kosovën dhe për shumë familje, të cilat kanë pasur nevojë për ekzistencë. Fikret Hajradini është përkrahës i fuqishëm i referendumit shqiptaro-shqiptar si mjet i rëndësishëm demokratik në rrugën e realizimit të ëndrrës shekullore të shqiptarëve në republikat tona. Po ashtu, ai ruan me fanatizëm betimin familjar ballist në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar, tokave shqiptare, Flamurit Kombëtar dhe të të gjitha vlerave kombëtare, duke ecur përpara me besimin e madh në Zot. Aktualisht, Fikret Hajradini jeton në Zvicër.

Feriz Deliu

Feriz Deliu u lind më 15 prill 1967 në Kabash, prej nga ku u njoh edhe me nofkën “komandant Kabashi”. Qysh në rini ra në sy si organizator i protestave të shumta, të cilat kundërshtonin regjimin serb në Kosovë. Gjatë kohës kur kryente shërbimin ushtarak në ish-Jugosllavi, ai u burgos në Bihaç dhe në Karlovac (6 muaj). Dënimi me burg u përsërit edhe në Zagreb (10 muaj) dhe vazhdimi i vuajtjes së dënimit u transferua në Kosovë, 1 muaj në Gjilan dhe 3 muaj në Smrokovnicë. Feriz Deliu është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por jo vetëm. Ai iu bashkua edhe Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (në Kosovën Lindore), si edhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (në Iliridë). Në vitin 2002, pasi në Tanushë kishte shporrur gurin e “kufirit artificial” mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë e akuzon për terrorizëm, duke e konsideruar si person që ka shkelur ligjin dhe si person të rrezikshëm, pasi ai kishte deklarar haptazi para mediave heqjen e kufijve mes hapësirave shqiptaro-shqiptare. Pas disa seancave gjyqësore në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombevew të Bashkuara në Kosovë, ai lirohet dhe deklarohet plotësisht i pafajshëm. Feriz Deliu ka ruajtur familjarisht traditën, që brez pas brezi gjithmonë kanë vazhduar përpjekjet për të bashkuar trojet shqiptare në një shtet të vetëm nën siglën e Flamurit Kombëtar. Aktualisht, Feriz Deliu jeton bashkë me familjen e tij në Kosovë dhe gëzon një përkrahje të gjërë nga të gjithë ish-bashkëluftëtarët e tij, të cilët betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe periudhën e luftës së saj e quajnë me të drejtë si një nga kohërat e krenarisë sonë shqiptare. Ai beson fuqishëm referendumin në mes shqiptarëve si mundësi e vërtetë e ndryshimeve të brendshme demokratike brenda republikave shqiptare.

Valbona Mehmeti

.....

Përparim Lamaj

.....

Ilirjan Cukaj

.....